Fëmijët e familjes Mehmeti nga Shilovica e Komunës së Vushtrrisë, ka tri vite që nuk po vijojnë mësimin në shkollën e fshatit.
Kryefamiljari Fadil Mehmeti thotë se fëmijëve të tij iu duhet të ecin në këmbë më shumë se 5 km, dhe vetëm përmes rrugëve malore pasi që transportin sipas tij nuk po ua siguron Komuna. Ndërsa në Komunë thonë se faji i mos shkollimit të fëmijëve është tek personi në fjalë.
Katër fëmijët e Fadil Mehmetit nga Shilovica e Vushtrrisë ka tre vite që nuk shkojnë në shkollë.
Babai i fëmijë tregon se atyre i është dashur të ndërpresin shkollimin, pasi shkolla më e afërt është rreth pesë kilometra dhe se rruga deri tek ajo i bie përmes malit, gjë që paraqet rrezik për ta.
“Çika e madhe në klasë të nëntë, djali në të shtatën, një tjetër në të pestën, tjetri në të dytën e tash edhe i vogli duhet të hyjë në klasë të parë. Në këtë vit normalisht të pestit duhet të hyjnë në shkollë por këtu s’ka shkollë hiç. Ka humbur shpresa, sepse kjo gjendje është prej tri vitesh. Prej tri vitesh këta nuk shkojnë në shkollë”, tha për RTV Dukagjinin, Fadil Mehmeti.