Nga 1.000 deri në 8.000 euro mund të ndëshkohen personat fizikë dhe juridikë të cilët nuk e zbatojnë masën e përgjithshme ose të posaçme për mbrojtje nga sëmundjet ngjitëse kur kjo është e domosdoshme.

Këto gjoba paraqiten në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, në të cilën janë duke u thirrur zyrtarë të Qeverisë së Kosovës se do ti përdorin kundër atyre që nuk respektojnë masat parandaluese dhe rregullat kundër Covid-19.

Pas rritjes se numrit të personave të infektuar më sëmundjen Covid-19, ditëve të fundit, autoritet kompetente në Kosovë kanë paralajmëruar se shkelësit e rregullave kundër koronavirusit do të gjobiten dhe ndëshkohen sipas këtij ligji.

Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj ka thënë të martën se “inspektorët sanitar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK) dhe Inspektorët Komunal do të veprojnë me forcën e ligjit kundër atyre që nuk respektojnë masat parandaluese dhe rregullat kundër Covid-19”.

Rekomandimet parandaluese për Covid-19, të IKSHPK-së, thotë ai, përfshijnë 22 masa të veçanta, që patjetër duhet të respektohen. Pikë- rëndesë kryesore është që bartja e maskave të jetë obligative.

“Masa të tjera të veçanta që parashihen janë edhe: distanca fizike, dezinfektimi, ajrosja e lokaleve, higjiena, dhe masa të tjera të detajuara për punonjësit, zyrat, institucionet dhe bizneset”, tha Zemaj në një postim në Facebook.

Zemaj në një postim në Twitter ka thënë se ndëshkimet do të bëhen në bazë të neneve 53,54,55 dhe 56 të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse.