Shtatë anëtarët e familjes Leka nga Livoçi i Epërm i Gjilanit rezultuan pozitivë me koronavirus më 24 prill.

Derisa gjashtë anëtarët e kësaj familje janë shëruar dhe vetëm njëri nga ta është rast aktiv, kjo familje vazhdon të jetë në vetizolim për çka edhe po ankohet lidhur me furnizimin me gjëra ushqimore dhe barna.

Kryefamiljari Behlul Leka në Edicionin Special në Klan Kosova ka treguar për problemet që janë duke u përballur.

“Brenga jonë është që nga data 24 prill deri më 11 maj na ka ndihmuar Komuna e Gjilanit. Prej kësaj date komuna nuk ka ndihmuar më me arsyetimin se janë bërë shumë familje në Gjilan që janë në vetizolim dhe nuk mund t’i ndihmojnë të gjitha. Fati i mirë është që na kanë ndihmuar fqinjët, familja dhe shoqëria – më shumë na kanë ndihmuar fqinjët se komuna”.