Gjatë ditës së sotme kanë mbetur të vdekur tre persona në një familje në lagjen ‘Dardania’.
Në vendin e ngjarjes, pas rastit kanë dalë edhe njësitet policore të cilët kanë konfirmuar rastin mirëpo pa dhënë detaje, shkruan OnAir.
Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës ka thënë në një konferencë për gazetarë se për rastin janë informuar në orën 13 e 30 minuta dhe se menjëherë ekipet përkatëse të policisë i janë përgjigjur rastit.
‘Policia iu ka përgjigjur rastit dhe ka ftuar mjekët, njësinë ligjore, forenzikën dhe njësitë tjera që kërkohet të dalin në vendin e krimit. Fillimisht nga informacionet bëhet fjalë për vdekje të dyshimtë, ndërsa më pas është kuptuar se një person i gjinisë mashkullore ka vrarë gruan, rejën dhe më pas veten’, ka thënë ai.
Ai tha se personi i gjinisë mashkullore që dyshohet se ka kryer krimin është i lindur në vitin 1958, gruaja e tij e lindur në vitin 1959 ndërsa reja e lindur në vitin 1991.
Kujtojmë, që kur ndodhi ngjarja tragjike në vendin ku ndodhi rasti kishte qenë prezent edhe një fëmijë./OnAir