Libraria “Altera”, në Prizren ishte vendi i radhës ku është promovuar libri i autorit Bashmir Xhemaj “Një shqiptar në CIA – dy jetët e Destan Berishës”. Libri u cilësua një biografi e shkruar me kujdes dhe gjithnjë duke u bazuar në fakte.
Ndërsa, për personazhin Destan Berisha u tha se ishte i papërkulur, energjik dhe idealistë me çdo çmim.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj tha se Bashmiri ka bërë një punë brilante në trajtimin e një teme e cila është jashtëzakonisht komplekse, por biografia “Një shqiptar në CIA – dy jetët e Destan Berishës”, është e mirëfilltë dhe e shkruar me standardet më perëndimore.
Hoxhaj: Destani është një personalitet historik
“Në planin metodik Bashmiri ka bërë një punë brilante që realisht në shkrimin, në trajtimin, në analizën, të jetë sa më objektiv të flasin faktet dhe të mos interpretohet një ngjarje përveç fakteve……….e kaluara mund të jetë si kujtesë, si përjetim por edhe si ngjarje lokale dhe kështu e njohin Destan Berishën, subjektin e këtij libri në Vrri, familjarët dhe të tjerët, por libri tregon qartë se Destani është një person dhe personalitet historik dhe kjo është prej arritjeve më të mira të librit se prej një kujtese individuale, familjare, regjionale të Prizrenit, të atyre që kanë bashkudhëtuar e shndërron në një person historik që e ka vendin e tij në histori të Kosovës dhe Shqipërisë“, ka thënë Hoxhaj.
Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi ka thënë se libri është një pasuri që e ka ofruar Bashmiri.
Gashi: Personazh interesant për Prizrenin dhe Kosovën
“Puna e tij të vazhdon edhe më tutje, është libri i parë i tij por edhe me këtë titull shumë karakteristik por flet edhe për një personazh shumë interesant për qytetin e Prizrenit dhe për Republikën e Kosovës, të vazhdon edhe me fazat tjera të botimeve për këtë personazh por edhe për personazhet tjera“, ka thënë ai.
Autorit Bashmir Xhemaj i falënderoi të pranishmit, duke iu uruar që ta shijojnë librin.