Këtë fundjavë do të nisë edicioni i 80-të i kategorisë superiore në Shqipëri, me një risi në pikën e rëndësishme të futbollit që ka të bëjë me sigurinë në stadiume.

Policia e Shtetit ka njoftuar Federatën, por edhe klubet, se nuk do të qëndrojë më brenda stadiumeve për të siguruar rendin, por vetëm jashtë tyre, duke detyruar klubet që të kontraktojnë një kompani private sigurie.

Po në këtë njoftim, policia njofton se ka inspektuar 61 objekte dhe terrene sportive, nga të cilat vetëm nëntë prej tyre plotësojnë kushtet e sigurisë. Por, sesi do të funksionojë policia jashtë stadiumit dhe sigurimi brenda tij, kjo është ende e paqartë – transmeton Top Channel.

“Klubet janë në njëfarë mase të kënaqura me vendimin e Policisë së Shtetit, pasi tifozeria me sa kuptohet është më komode kur nuk ka polici në stadium. Megjithatë, do t’i rëndojë pak nga ana financiare, pasi është një pagesë shtesë që të mos ketë më policë nëpër stadiume”, ka thënë Lysjen Nurishmi, shef i garave në FSHF.

Megjithatë, ende shumë klube të kategorive të ndryshme nuk kanë siguruar një kontratë me kompanitë private të sigurisë. Për një ndeshje futbolli ka disa kërkesa sigurie për policinë private.