Brenda pak kohësh, fotografia e kësaj gruaje është shpërndarë me mijëra herë në rrjetet sociale.
Grupe të ndryshme online kanë alarmuar rrejshëm për rrezikun që pretendohej se ajo paraqiste, raporton KTV.
Nëpër postime u është bërë prindërve thirrje të kenë kujdes për fëmijët e tyre, meqë dyshohej se ajo mund t’i kidnaponte.
Ajo është parë brenda pak kohësh në disa qytete të ndryshme të Kosovës. Të njëjtën, një vajzë 17-vjeçare thotë se e ka parë të mërkurën në sheshin e Dëshmorëve në Malishevë.
Sipas postimeve të ndryshme në rrjete sociale, gruaja e njëjtë është parë edhe në stacionin e autobusëve në Malishevë.
Por, përgjegjësi i këtij stacioni tregon se asnjëherë nuk e ka parë atë.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka mohuar se gruaja është e kërkuar për ndonjë vepër penale.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Lirie Podrimaj, ka thënë për KTV-në se më 23 maj, Policia e Malishevës e ka identifikuar personin Z.S., grua rome nga Podujeva dhe e ka shoqëruar në Polici, por e ka liruar, sepse ajo nuk dyshohet për asnjë vepër penale.