Prodhuesit vendor janë ata që po përfitojnë më së shumti nga taksa e vendosur për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Kompanitë vendore që nga periudha e vendosjes së taksës kanë shtuar prodhimin, e në të njëjtën kohë kanë rritur edhe numrin e punëtorëve.
Përfaqësues të këtyre kompanive bëjnë thirrje që kryeministri Ramush Haradinaj, të mos heq dorë nga taksa që iu ka vendosur produkteve serbe dhe boshnjake, duke thënë se kështu po fuqizohen prodhuesit vendor.
Kompania “Liri” është një nga prodhuesit më të mëdhenj të ëmbëlsirave në vend, e cila që pas vendosjes së taksës ka punësuar 40 punëtorë, duke e rritur numrin e të punësuarve nga 120 në 160, shkruan OnAir.
Numrin e punëtorëve pas vendosjes së taksës e ka shtuar edhe kompania “Meka” e cila merret me produkte nga mishi i pulës dhe i gjedhit.
Pronari i kompanisë “Meka”, Burim Piraj, ka thënë se kompania që ai drejton ka punësuar 8 punëtorë që pas vendosjes së taksës, duke e dërguar numrin e të punësuarve në 85.
Janë bërë 5 muaj që kur Kosova i ka vendosur taksë 100 përqind produkteve që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, e për këta muaj vlera e importit nga këto dy vende ka rënë në 99 përqind.
Kështu ka bërë të ditur, zëdhënësi i Doganës së Kosovës Adriatik Stavileci, i cili ka treguar se ka rritje të importit nga shteti i Gjermanisë dhe Italisë.
Qeveria e Ramush Haradinajt, me 21 nëntor i ka vendosur taksë 100 për qind produkteve që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, e kjo taksë sipas kryeministrit Haradinaj nuk do të hiqet pa ndodhur njohja e Kosovës nga Serbia. Madje, ai ka refuzuar ta largojë taksës edhe pas presioneve të shumta që i janë bërë nga përfaqësues vendor e ndërkombëtarë./OnAir