Partia Socialdemokrate ka paralajmëruar menaxhmentin e Telekomit të Kosovës se nëse nuk do të dorëzojë dokumentacionin me kontrata të kërkuara nga Komisioni parlamentar hetimor deri në javën e ardhshme, do të veprohet përmes gjykatës.
Nënkryetari i PSD-së Visar Ymeri, tha se javën e kaluar ka kërkuar nga menaxhmenti i Telekomit dokumentacionet, bashkë me pasqyrat e auditorëve, për të përcjellë ndryshimin e numrit të përgjithshëm të punonjësve dhe çështjen e punësimit në telekom, por deri sot asnjë nga këto dokumente nuk janë dorëzuar.
Ai më tej tha se ka marrë përgjigjen lidhur me këtë çështje nga kryeshefi i Telekomit Bedri Istrefi, me arsyetimin se bëhet fjalë për ndjeshmërinë e lëndës dhe se disa lëndë janë duke u hetuar nga Prokuroria e Shtetit.
Për më tepër, Ymeri theksoi se komisioni hetimor është i vendosur që këtë çështje ta përcjellë deri në fund, duke përgatitur edhe një raport hetimor, për të parë se cilët janë shkaktarët që kanë sjellë Telekomin në gjendjen aktuale.
Ndryshe, menaxhmenti i Telekomit të Kosovës gjatë ditës së sotme ka refuzuar t’i japë dokumentacionin me kontrata të kërkuara nga Komisioni parlamentar Hetimor për PTK-në dhe Valën, me arsyetimin se një pjesë e lëndëve janë të ndjeshme./OnAir